Ndërtesa HARKU
Lipjan · 2019 – 2021
- Lloji: Arkitekturë
- Klienti: Kryeziu Builds
- Sipërfaqja: 7000 m²
- Statusi: E ndërtuar
Parcela e projektit ndodhet në një lokacion të shkëlqyer në qytetin e Lipjanit, afër kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës. Me formën e saj të pazakontë, parcela përbënte një sfidë të madhe për projektimin.
Parcela është e rrethuar nga rrugë në tri anë, ndërsa anash, pranë kufirit të parcelës, ndodhet një ndërtesë fqinje e vjetër dhe e pabanueshme. Qëllimi ishte që ky ambient i trazuar të qetësohej përmes gjeometrisë. Forma e parcelës sugjeronte një rreth, prej të cilit u zhvillua një rrjet i rregullt.
Kjo formë mundëson shfrytëzimin optimal të parcelës dhe të dritës së diellit, duke ruajtur njëkohësisht privatësinë. Meqë ballkonet krijohen përmes prerjeve në vëllimin e ndërtesës, secili ballkon është i mbrojtur nga shikimet. Forma rrethore krijon qetësi shtesë, sepse banesat nuk janë të radhitura në një vijë dhe kështu kufizohen shikimet mes fqinjëve. Në të gjitha banesat, hapësira e ndenjës, e ngrënies dhe kuzhina janë të hapura. Dhomat e gjumit qasen secila përmes një paradhome të veçantë, gjë që mbron privatësinë e banorëve.
Katër banesat në pjesën kryesore rrethore të ndërtesës kanë secila një ballkon të qasshëm nga të gjitha dhomat. Dy banesat në pjesën e pasme janë të orientuara nga oborri i brendshëm. Në katin e fundit ndodhen dy banesa penthouse, secila me një tarracë të madhe, e cila arrihet nga korridori dhe nga hapësirat e ndenjës.
Në përdhese, drejt rrugës kryesore, ndodhen hapësirat afariste me parkingje të mjaftueshme sipas kushteve urbanistike. Prapa tyre, drejt oborrit të brendshëm dhe një rruge të vogël anësore, gjendet hyrja për banorët. Kështu ata gëzojnë qetësi dhe rrugët e tyre nuk kryqëzohen me ato të klientëve.
Shkallët ajrosen gjithmonë në mënyrë natyrale përmes hapjeve në fasadë. Në këtë mënyrë ato kryejnë dy funksione: shërbejnë si qarkullim i rregullt vertikal dhe njëkohësisht si shkallë emergjente, pasi tymi mund të dalë përmes hapjeve në fasadë.
Projekt nga Manom Architects, arkitektë në Prishtinë, Kosovë.










Kthehu te projektet
English · Deutsch · Shqip