Shtëpia Limolli
Suhadoll, Graçanicë · 2026 – 2027
- Lloji: Arkitekturë
- Klienti: Z. Limolli
- Sipërfaqja: 335 m²
- Statusi: Në ndërtim
Në një zonë të qetë, zoti Limolli dëshiron ta kalojë pjesën tjetër të jetës së tij. Para tre vitesh ai e bleu parcelën për të realizuar këtu një nga investimet më të mëdha të jetës së tij. Shtëpia e vjetër, e plasaritur kudo, tani nuk është më, gjë që i hap rrugën ndërtimit të ri.
„Veturën dua ta kem afër vetes, si pjesë të shtëpisë sime. Dhoma e ndenjës është shumë e rëndësishme për mua dhe më pëlqen kur është e madhe. Kuzhina dhe hapësira e ngrënies nuk duhet të ndahen nga dhoma e ndenjës. Kur të plakem dhe të mos mund të ngjitem më shkallëve, duhet të kem mundësinë të fle në përdhese.“ Kështu tha zoti Limolli gjatë bisedës sonë.
Që në fillim i shpreha investitorit dëshirën time që druri njëqindvjeçar të mos pritej, por të bëhej pjesë e shtëpisë. Parcela është e rrafshët dhe forma katrore më dukej e papërshtatshme dhe monotone. Në këtë truall të qetë e të rrafshët, shtëpia duhet të „bëjë zhurmën“, duhet të jetë në lëvizje. Në fund të fundit, parcela i përket shtëpisë; ajo mund të lëvizë lirshëm aty. Nga kjo filozofi, funksionet e kërkuara nga investitori u lidhën me formën e duhur, dhe prej këtu lindi rezultati.
Hyn në shtëpi dhe të pret një hapësirë e madhe, e hapur. Dhoma e ndenjës ka dritare në të katër anët e horizontit, që në çdo moment të shihet rrjedha e ditës. Druri i vjetër jep hije në perëndim dhe mund ta shijosh kafen në tarracë. Në katin e parë ndodhen tri dhomat e gjumit të kërkuara, mes tyre dhoma kryesore e gjumit me një ballkon të madh në drejtim të hyrjes së shtëpisë. Shpresoj që dhoma e gjumit në përdhese të mos nevojitet kurrë për qëllimin që e ka paraparë investitori. Më së shumti do të doja që kjo dhomë të ishte një zyrë e vogël ose një bibliotekë.
Projekt nga Manom Architects, arkitektë në Prishtinë, Kosovë.

Kthehu te projektet
English · Deutsch · Shqip